Në dyqan fizik, klienti e merr produktin në dorë, e kthen, e prek. Online s'e bën dot asnjë nga këto. Fotoja duhet t'i përgjigjet çdo pyetjeje që do t'i bënte produktit: sa i madh është, nga çfarë është bërë, si duket nga pas, si duket në përdorim.
Shumë dyqane të vogla mendojnë se u duhet fotograf profesionist që në fillim. Për shumicën e produkteve, s'është e vërtetë. Telefonat e sotëm bëjnë foto shumë të mira; ajo që bën diferencën është drita, sfondi dhe qëndrueshmëria. Të trija janë falas.
1. Drita: rregulli më i rëndësishëm
- Përdorni dritën e ditës, pranë një dritareje. Drita që vjen anash i jep produktit formë dhe tekstura.
- Shmangni diellin direkt. Krijon hije të forta dhe djeg ngjyrat. Ditët me re janë ideale; ose vendosni një perde të hollë të bardhë para dritares.
- Fikni dritat e dhomës. Llambat e verdha dhe drita e dritares bashkë i japin fotos ngjyra të çuditshme.
- Mos përdorni flash-in. Rrafshon produktin dhe krijon shkëlqime.
- Një karton i bardhë në anën tjetër e kthen dritën te produkti dhe zbut hijet. Kushton pothuajse asgjë dhe ndryshon shumë.
2. Sfondi dhe vendi
Sfondi më i thjeshtë dhe më i sigurt është i bardhë ose gri e lehtë. Një fletë e madhe kartoni, e përkulur nga tavolina lart te muri, krijon një sfond pa vijë në mes. Një çarçaf i hekurosur funksionon gjithashtu.
Përdorni të njëjtin sfond për të gjitha produktet. Kur klienti shfleton një kategori, foto të njëtrajtshme e bëjnë dyqanin të duket i rregullt dhe i besueshëm. Foto me sfonde të ndryshme, edhe nëse secila është e bukur veç e veç, e bëjnë të duket i rastësishëm.
3. Telefoni: si ta mbani dhe çfarë të ndryshoni
- Fshini lentën. Duket e kotë, por telefoni në xhep mbledh yndyrë dhe pluhur, dhe foto "e mjegullt" shpesh vjen thjesht nga kjo.
- Mbajeni të qëndrueshëm. Një trekëmbësh i vogël kushton pak; edhe disa libra ose një gotë si mbështetje mjaftojnë. Përdorni kohëmatësin 2–3 sekonda që shtypja të mos e lëvizë.
- Mos përdorni zoom-in dixhital. Afrohuni fizikisht, ose përdorni lentën 2x/3x nëse telefoni e ka.
- Prekni produktin në ekran që telefoni të fokusohet aty, dhe ulni pak ekspozimin nëse sfondi i bardhë "digjet".
- Mbajeni telefonin në të njëjtën lartësi dhe largësi për produktet e ngjashme, që të duken të një madhësie në faqe.
4. Cilat foto duhen për çdo produkt
Një foto e vetme rrallë mjafton. Një set i mirë për shumicën e produkteve:
- Foto kryesore nga përpara, në sfond të pastër. Kjo del në listë dhe në rezultatet e kërkimit.
- Kënd 45 gradë, që tregon formën dhe thellësinë.
- Nga pas ose anash, sidomos nëse aty ka diçka të rëndësishme (zinxhir, etiketë, priza).
- Detaj nga afër: materiali, qepja, tekstura, etiketa e përbërësve.
- Produkti në përdorim ose pranë diçkaje të njohur, që klienti ta kuptojë madhësinë: një çantë në dorë, një qiri në tavolinë, një kavanoz pranë një luge.
Nëse produkti vjen në disa ngjyra, fotografoni secilën ngjyrë veç. Klienti që merr një ngjyrë ndryshe nga fotoja kthen produktin, dhe kthimet kushtojnë.
5. Editimi: pak, dhe i ndershëm
- Prisni dhe drejtoni fotoja, që produkti të jetë në qendër dhe vijat të jenë drejt.
- Rregulloni dritën dhe kontrastin lehtë, që sfondi të duket i bardhë dhe jo gri.
- Mos i ndryshoni ngjyrat e produktit. Fotoja duhet të tregojë atë që klienti do të marrë. Një foto "më e bukur se realiteti" kthehet në ankesë.
- Përdorni të njëjtin format për të gjitha: p.sh. katror (1:1) ose vertikal (4:5), sipas dyqanit tuaj.
Aplikacionet e editimit që vijnë me telefonin mjaftojnë për të gjitha këto. S'ju duhen programe të shtrenjta.
6. Përgatitja për website
Një foto nga telefoni mund të jetë disa megabajt. Në dyqanin online, dhjetëra foto të tilla e bëjnë faqen të rëndë dhe të ngadaltë, sidomos në telefon. Para se t'i ngarkoni:
- Zvogëlojini dimensionet. Për shumicën e dyqaneve, rreth 1200–2000 piksel në anën më të gjatë mjaftojnë.
- Kompresojini. Formati WebP zakonisht jep të njëjtën cilësi me madhësi shumë më të vogël. Shumë platforma e bëjnë këtë automatikisht; pyesni ose kontrolloni.
- Emërtojini qartë: "cante-lekure-kafe-perpara.webp" në vend të "IMG_4821.jpg". Ndihmon në Google Images.
- Shkruani tekstin alternativ (alt), një përshkrim i shkurtër i fotos. E lexojnë njerëzit me vështirësi në shikim dhe e përdor Google për të kuptuar fotot.
Pse ka rëndësi kjo? Sepse një dyqan me foto të bukura që hapet ngadalë humbet klientë para se ata t'i shohin fotot. Më shumë te udhëzuesi për shpejtësinë e website-it.
Kur ia vlen fotografi profesionist
Për produkte që shkëlqejnë ose reflektojnë (bizhuteri, xhami, metal), për foto me modele, ose për fotot kryesore të një fushate, një fotograf me pajisje drite ia vlen. Por shumë dyqane e nisin me telefon, mësojnë çfarë shitet, dhe investojnë në fotograf më vonë, për produktet që e meritojnë.
Dhe një rregull i fundit: mos përdorni foto të marra nga interneti ose nga faqja e furnitorit pa leje. Përveç problemit ligjor, të njëjtat foto i kanë dhjetëra dyqane të tjera, dhe klienti s'ka asnjë arsye t'ju zgjedhë juve. Fotot tuaja janë pjesë e markës suaj. Nëse po hapni dyqan online, ato janë një nga investimet më të mira të kohës që mund të bëni.
Po planifikoni dyqan online?
Na tregoni çfarë shisni dhe ju themi nga t'ia nisni, me ose pa ne.
Na shkruani →