Shumë pronarë biznesi e kanë një website që e bënë para disa vitesh, e paguan hosting-un çdo vit dhe s'e mendojnë më. Faqja "ekziston". Problemi është se klientët nuk e shohin si ju. Ata e hapin në telefon, në mes të ditës, me pak durim, dhe brenda pak sekondash vendosin nëse ju besojnë apo jo.
Ky artikull s'ka për qëllim t'ju bindë të bëni një website të ri. Shpesh mjafton një rregullim. Por ka disa shenja që tregojnë se faqja ka arritur kufirin, dhe sa më gjatë pritet, aq më shumë kërkesa humbasin pa e ditur.
1. Në telefon duket si faqe desktopi e zvogëluar
Hapeni faqen tuaj në telefon tani. Nëse duhet të zmadhoni me gishta për të lexuar, nëse butonat janë aq afër sa shtypni gabim, ose nëse menyja del jashtë ekranit, kjo është shenja më e qartë. Shumica e vizitorëve sot vijnë nga telefoni, ndaj kjo s'është detaj teknik: është përshtypja e parë.
2. Hapet ngadalë
Nëse faqja mendohet disa sekonda para se të shfaqë diçka, një pjesë e vizitorëve ikin para se ta shohin. Shkaqet zakonisht janë foto të rënda, plugin-e të panevojshëm ose hosting i lirë. Disa nga këto rregullohen pa ndërtuar faqe të re; të tjera, si një temë e vjetër WordPress e mbingarkuar, jo. Më shumë për këtë te udhëzuesi për shpejtësinë e website-it.
3. Çdo ndryshim i vogël zgjat me javë
Ndryshoni orarin, shtoni një shërbim, ndërroni një foto, dhe ndryshimi del në faqe pas ditësh apo javësh. Ose më keq: personi që e bëri faqen s'përgjigjet më. Kur një ndryshim i vogël kërkon një javë, faqja fillon të mbetet pas biznesit, dhe informacioni i vjetër është më i keq se mungesa e informacionit.
4. Informacioni është i vjetër dhe askush s'e ka vënë re
Çmime të 2022-shit, një numër telefoni që s'përdoret më, shërbime që s'i ofroni. Klienti që i lexon s'e di cila pjesë është e saktë, ndaj dyshon për të gjitha. Nëse e gjeni veten duke u thënë klientëve "mos e shihni faqen, s'është e përditësuar", faqja po punon kundër jush.
5. Vizitorët s'e kuptojnë menjëherë çfarë bëni
Bëni një provë të thjeshtë: tregojani faqen dikujt që s'ju njeh, për 5 sekonda, dhe pyeteni çfarë ofron biznesi juaj dhe ku ndodheni. Nëse përgjigjja është e paqartë, problemi s'është te vizitori. Faqet e vjetra shpesh nisin me "Mirë se vini" dhe një foto të madhe pa kuptim, në vend të një fjalie që thotë qartë çfarë bëni dhe për kë.
6. S'ka asnjë mënyrë të lehtë për t'ju kontaktuar
Numri është i fshehur në fund, formulari ka 12 fusha, s'ka WhatsApp. Çdo hap shtesë humb njerëz. Klienti që është gati të shkruajë s'duhet të kërkojë si ta bëjë.
7. Shfletuesi thotë "Not secure"
Nëse adresa s'nis me https dhe shfletuesi shfaq paralajmërim, shumë vizitorë mbyllin faqen menjëherë. Kjo zakonisht rregullohet shpejt me një certifikatë SSL, por nëse s'është rregulluar deri tani, shpesh do të thotë që askush s'kujdeset për faqen.
8. Në Google s'ju gjen askush me emrin e shërbimit
Ju gjejnë kur shkruajnë emrin e biznesit, por jo kur kërkojnë "dentist në Durrës" ose "elektricist Prishtinë". Kjo mund të ketë shumë arsye. Megjithatë, nëse faqja s'ka tituj të qartë, tekst për shërbimet dhe strukturë të rregullt, Google s'ka çfarë të kuptojë. Kjo zakonisht kërkon më shumë se një rregullim i vogël.
9. Biznesi ka ndryshuar, faqja jo
Keni hapur një pikë të dytë, keni nisur të punoni me klientë jashtë vendit, keni shtuar shërbime. Nëse faqja ende pasqyron biznesin e para tre viteve, ajo u flet klientëve që s'i keni më dhe hesht para atyre që doni.
Rregullim apo website i ri?
Nëse keni 1 ose 2 nga shenjat më sipër, shpesh mjafton një rregullim: përditësim i teksteve, optimizim i fotove, një buton WhatsApp, SSL. Nëse keni 4 ose më shumë, dhe sidomos 1, 3 dhe 5 bashkë, zakonisht kushton më pak të nisni nga e para sesa të arnoni pafund diçka që s'u ndërtua për mënyrën si punoni sot.
Para se të vendosni, kërkoni nga kushdo që ju jep ofertë të shpjegojë pse rekomandon rregullim ose faqe të re. Një përgjigje e ndershme ndonjëherë është "s'ju duhet faqe e re".
Nëse doni një mendim të dytë për faqen tuaj, na e dërgoni linkun. Ju themi çfarë shohim, edhe nëse përgjigjja është se faqja juaj është mirë siç është. Për çmimet e një faqeje të re, shihni paketat tona.
Doni një mendim për faqen tuaj?
Na dërgoni linkun dhe ju themi sinqerisht nëse ia vlen rregullimi apo një faqe e re.
Na shkruani →